𝐌𝐊𝐑𝐒 𝐝𝐡𝐞 𝐊𝐎𝐊 𝐧ë𝐧𝐬𝐡𝐤𝐫𝐮𝐚𝐣𝐧ë 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐚𝐧𝐝𝐮𝐦 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐦𝐛𝐢 𝟐.𝟔 𝐦𝐢𝐥𝐢𝐨𝐧ë 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐩ë𝐫 𝐋𝐌 Prishtina 2030
Një tjetër hap konkret drejt realizimit të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e Kosovës dhe rajonit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar marrëveshjen e radhës me Komitetin Olimpik të Kosovës, memorandum përmes së cilit MKRS ndan mbi 2.6 milionë euro për KOK-un për fazën operacionale të përgatitjeve të këtij viti të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Në emër të MKRS nënshkroi zëvendësministrja Daulina Osmani, ndërsa në emër të KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi.
Në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës, ICMG ka themeluar Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, të cilit do t’i prijë presidenti Ismet Krasniqi. Komiteti, që do të jetë i përkohshëm, përbëhet edhe nga drejtues tjerë të KOK-ut, qeverisë së Kosovës, MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës.
Memorandumi i nënshkruar dhe themelimi i këtij Komiteti Organizativ vijnë pas vizitës së komisionit koordinues të ICMG për LM Prishtina 2030 të bërë në fund të muajit të kaluar, dhe gjetjes së zgjidhjes alternative pas bllokimit të Ligjit për LM Prishtina 2030 nga Gjykata Kushtetuese.



